Te Ferrari synojnë shumë këtë sezon dhe ardhja e Lewis Hamilton, 7 herë kampion bote në Formula 1, e konfirmon këtë fakt. Shefi i “kokëkuqes” Frederic Vasseur mendon se mosha e pilotit britanik nuk është një problem dhe se ka kënaqësi të punojë sërish me Hamilton pas 20 vitesh.
“A kam frikë nga mosha e Hamiltonit? Mendoj se ai e tregoi vlerën e tij në Abu Dhabi, duke filluar nga fundit dhe duke arritur në vendin e katërt. Ritmi i tij është ende aty, por as më parë nuk kisha dyshime. Ky nuk është i njëjti Lewis me të cilin kam punuar, ai është 20 vjet më i madh”, tha Vasseur.
Më tej, menaxheri francez shtoi: “Të gjithë ndryshojnë, përmirësohen dhe me siguri ai është shumë më i pjekur, shumë më me përvojë dhe është shoku perfekt për ekipin e sotëm. Është pikërisht ajo që kërkoja, për ekipin, për mua, për Charles”.
Duke folur për Ferrari që do të zbresë në pistë këtë vit, ai komentoi: “Të gjithë janë pjesë e zhvillimit të makinës dhe sigurisht që Lewis është në fazën e parë të këtij bashkëpunimi. Ajo që duhet të kemi parasysh është se vitin e kaluar ne përfunduam vetëm 14 pikë pas McLaren. Do të thotë se po flasim për detaje. Nuk është fjala për ndryshimin e plotë të makinës”.
“Nëse mund të sjellim pak performancë në një ose dy aspekte, ky është tashmë një hap i madh përpara. Leëis vjen me përvojën e tij dhe patjetër do ta ndihmojë ekipin të zhvillohet në çdo fushë.
Si ekip duhet të shmangim të qenit të turpshëm dhe të kuptojmë se ku mund të përmirësohemi. Kjo është puna ime dhe e teknikëve”, tha Vasseur.