FC Zuerichu është në ngritje dhe jo vetëm për shkak të trajnerit të ri Massimo Rizzo.
Benjamin Kololli ka kohë që po e luan futbollin më të mirë dhe më efektiv të karrierës së tij.
Kur FC Zuerichu u takua me Napolin në Letzigrund më 14 shkurt të vitit 2019, ekipi i FC Zuerichut ishte duke humbur 3:0 pas 83 minutash, dhe atëherë gjyqtari fërshëlleu një penallti në favor të klubit të qytetit, shkruan “sport.ch”.
Benjamin Kololli e mori topin dhe e shndërroi atë në stilin “Panenka” kundër portierit të Napolit, Meret. Por, në vend që ta nxirrte topin nga porta për ta kompensuar kohën për një gol tjetër, Kololli brohoriti shumë, sikur e kishte fituar Ligën e Kampionëve.
Ky veprim ishte emblematik për futbollistin Benjamin Kololli. Ai ka këmbë që mund t’i përdorë për detyra më të larta se Superliga e Zvicrës, por që nuk i përdor gjithmonë emocionet e tij për avantaz.
Që nga ky vit dhe veçanërisht në këtë sezon ka pasur një ndryshim në lojën e 28-vjeçarit. Në sezonin e kaluar, Kololli i shënoi të gjashtë golat e tij në Superligë pasi rifilloi futbolli për shkak të ndalesës nga koronavirusi. Ai ishte njëri nga të paktët në ekipin e Zuerichut që pati paraqitje të mirë, në pjesën e fundit të sezonit që ishte shumë i dobët për ekipin.
Ka pasur frikë se nuk do të shënojë gola këtë sezon, pasi nën drejtimin e Massimo Rizzos, ai duhet të veprojë në mbrojtje më shumë se sa ishte mësuar në sistemin 4-2-3-1 të FC Zuerichut.
Sidoqoftë, ai ka statistika të mira sivjet. Kololli tashmë ka shënuar tre gola këtë sezon, gjysmën e sezonit të kaluar. Në sezonin e kaluar, futbollistit të Kosovës iu deshën 285 minuta për të shënuar, por këtë sezon vetëm 162 minuta. Madje ka rritje të përqindjes së pjesëmarrjes së tij në lojën me top.
Kololli megjithatë jo vetëm që është përmirësuar në sulm, por edhe në mbrojtje.
Edhe pse përdoret kryesisht si mbrojtës i majtë te Përfaqësuesja e Kosovës, te Zuerichu nuk ishte shumë i fortë prapa. Por, në këtë sezon, ai merr pjesë gjithnjë e më shumë në veprimet prapa e duke pasur edhe shumë duele. Kjo tregon qartë se është duke u përmirësuar edhe në atë pjesë të fushës.
I shoqëruar me teknikën e tij të fortë dhe nuhatjen për të shënuar gola, Kololli më në fund është arma që i është dashur FC Zuerichut që prej verës së vitit 2018 kur edhe u transferua. Në atë kohë, Kololli nënshkroi kontratë deri në qershor të vitit 2021. Nëse do të vazhdonte të luante kaq mirë, FC Zuerichu do të duhej t’ia zgjaste kontratën, shkruan mediumi zviceran “sport.ch”. Në anën tjetër, shfaqjet e tilla vërehen edhe jashtë vendit, ku Kololli nuk ka luajtur kurrë. Mund të jetë kulmi i një procesi të jashtëzakonshëm për 28-vjeçarin.