Futbollisti i Flamurtarit: Kam pjesën më të madhe të fajit

Futboll

Futbollisti i Flamurtarit: Kam pjesën më të madhe të fajit

Më: 27 nëntor 2020 Në ora: 14:55
Futbollisti i Flamurtarit: Kam pjesën më të madhe të fajit

Arbion Balilaj ishte autori i një autogoli për Flamurtarin në ndeshjen e fundit të humbur 0-3 ndaj Besës. I riu pranon se gaboi, ndërsa e “qan” ende atë episod.

Megjithatë, sulmuesi shprehet se po përpiqet ta hedhë pas krahëve, ndërsa thotë se në atë rast ka ndikuar edhe eksperienca e portierit: “Nuk mund të them që unë jam pa faj. Kam pjesën time të gabimit, ndoshta më të madhen. Nuk dua të shfajësohem, por mund të them se edhe eksperienca e portierit ndikon shumë. Pjesa e parë ishte e mirë për ne, por nuk u treguam të saktë para porte. Unë te Flamurtari ndihem mirë pasi jam në shtëpinë time dhe tek ekipi i zemrës, ndaj premtoj maksimumin tim”, tha fillimisht Balilaj.

MOTIVIMI – 20-vjeçari gjithashtu vlerëson edhe qëndrimin e mbajtur nga administratori Sinan Idrizi, pas ndeshjes me Besën. “E vlerësoj qëndrimin e presidentit Idrizi. Ai na dha shumë kurajo.

Pas ndeshjes me Besën na tha se kemi mbështetjen e tij. Kjo gjë na ngroh shumë, pasi jemi lojtarë të rinj. Të na japin besim dhe të bëjnë durim, pasi me punë dhe bashkëpunim do të arrijmë aty ku e kemi vendin”, u shpreh sulmuesi.

EGNATIA – Balilaj flet edhe për ndeshjen me Egnatian, ku Flamurtari do të luajë të shtunën në transfertë. “Ndeshja me Egnatian është e vështirë. Kundërshtari është i fortë e aq më tepër udhëheq i vetëm klasifikimin. Por ne do të udhëtojmë për të dhënë maksimumin dhe do të luftojmë për të marrë fitoren”, përfundon vlonjati.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat