Shyqeri Gashi ka qenë prej gjyqtarëve më të mirë që ka pasur Kosova dhe për rreth 30 vite ka referuar me sukses.
Një ndeshje që asnjëherë nuk i largohet nga mendja padyshim është me 28 nëntor të vitit 1999 në stadiumin e Prishtinës, ku u ndeshen Kombëtarja e Kosovës dhe përzgjedhja e Tiranës.
Në fakt ka qenë kombëtarja e Shqipëria por për shkaqe politike dhe të rrezikut që vinte nga UEFA, u emërtua Tirana, për t’i shpëtuar ndonjë sanksioni të mundshëm, për faktin se FFK nuk ishte pranuar në asociacionin e lartpërmendur.
Në stadium rreth 20 mijë shikues, panë një ndeshje të mirë, triumfon Tirana me 2:0, ndërsa ndeshjen me sukses e referoi Shyqeri Gashi, së bashku me Ruzhdi Breznicën, Vehbi Ibrahimin dhe Ramiz Peshterin. Gashit i kujtohet si sot kjo ndeshje.
“Vërtet ka qenë ndeshje e veçantë revyale dhe me vëllezërit tanë, një ndeshje që gjithmonë do të mbetet në zemrën time.
Një ndeshje e paharrueshme, e para në shtetin e lirë të Republikës së Kosovës dhe takim me Shqipërinë”, kujton Gashi sfidën e 28 nëntorit të viti 1999.
“Ishte kënaqësi të referosh atë ndeshje, ku në fushë ishte emri i madh i futbollit Ardian Kozniku, pastaj për të pa këtë ndeshje kishte ardhur edhe aktori i madh Pjetër Malota, karateisti i mirënjohur botëror Enver Idrizi etj. emocionuesen ka qenë. Kjo ishte ndeshja emocionale për mu dhe e fundit si gjyqtar”, thotë Gashi për gazetën kombëtare “Bota sot”.