Jetmir Topalli është shndërruar në “hero” për skuadrën e tij Yeni Malatyaspor, teksa e shpëtoi nga humbja në udhëtim te Gaziantep FK.
Ylli kosovar realizoi në minutën e pestë të kohës shtesë, duke barazuar rezultatin në 2:2 dhe duke i dhënë kështu një pikë tejet të vlefshme skuadrës së tij.
Madje, Topalli u inkuadrua në minutën e fundit të kohës së rregullt, derisa i dha impakt lojës së skuadrës së tij, duke kontribuar jashtëzakonisht shumë drejt pikës së 12-të kampionale.
Topalli u gjend bukur brenda zonës pasi u shërbye nga Semih Kaya, teksa e dërgoi me lehtësi topin drejt rrjetës.
Goli i 22 vjeçarit u rishikua në sistemin VAR, më pas u konfirmua dhe u legjitimua festa e futbollistëve të Yeni Malatyaspor.
Ky ishte goli i parë i ish-sulmuesit të Ballkanit në Superligën e Turqisë, derisa më parë kishte realizuar në Kupën e Kampionatit.
Pas ndeshjes, u shpreh i lumtur me golin dhe pikën e marrë.
“Ne e dinim që do të ishte një ndeshje e vështirë kur kemi ardhur këtu. Ata kishin lojtarë shumë të mirë. Ne luftuam deri në fund. Ne ramë mbrapa të dy here, deklaroi ai.
“Mund të humbnim, por kurrë nuk u dorëzuam. Jam i lumtur që morëm një pikë”, tha Topalli për faqen zyrtare të klubit turk.