Mario Baudry, partneri i ish të dashurës së Diego Maradonës, Veronica Ojeda, ka thënë se vdekja e legjendës argjentinase ka mundur të shmangej, sikur njerëzit përreth tij të kujdeseshin siç duhet për shëndetin e tij.
Maradona vdiq të mërkurën e kaluar në moshën 60-vjeçare, pas një sulmi në zemër.
Ish-ylli i Barcelonës dhe Napolit dhe fituesi i Kupës së Botës më Argjentinën më 1986, kishte qëndruar i vetëm në dhomën e vet për gati një ditë para se të gjendej i vdekur.
Leopoldo Luque, mjeku personal i ikonës, i cili e kishte operuar atë në tru javë më parë, i është përgjigjur akuzave duke thënë se kishte bërë gjithçka që kishte mundur për t’u kujdesur për Maradonën.
Por me këtë nuk pajtohet edhe Baudry.
“Luque dhe ekipi i tij u morën me Maradonën, por vdekja e tij ishte e shmangshme”, tha Baudry.
“Luque është njeri i mirë por nëse e kem Ferrarin më të mirë në botë dhe ia jap një pesëvjeçari, ai do ta shkatërrojë atë. Diego u rrëzua nga shtrati pak ditë më parë dhe e goditi murin me kokë, por ata nuk ia bënë asnjë test pas kësaj”, tregoi ai.
Baudry zbuloi se partnerja e tij kishte shkuar për vizitë të Maradona në fillim të javës së kaluar.
“Të hënën, dy ditë para se të vdiste ai, Diego i tha Veronicas se donte ta shihte dhe ajo shkoi te ai për vizitë, por nuk e gjeti asnjë doktor apo ndonjë njeri atje”, tha Baudry.
“Maradona nuk e kishte një tualet normal në dhomën e vet, e kishte një tualet sikur të kampit. Dhoma e tij ishte shumë e vogël. Ai nuk ishte vendi i duhur për Diegon”, tregoi ai.