Prej më tepër se një viti Giorgio Chiellini ka nisur të ndjejë vitet mbi supe, pasi po shoqërohet nga dëmtime të njëpasnjëshme, që nuk e kanë lejuar të luajë më shumë sesa 3-4 ndeshje radhazi.
Kështu së fundi kapiteni i Juventusit kishte lënë pas dëmtimin në kofshën e majtë dhe iu bashkua grupit në seancën e djeshme stërvitore, por jo shumë gjatë, pasi në stërvitjen e sotme u ndal sërish.
Tani bëhet fjalë për një problem në kofshën e djathtë dhe mbrojtësi ndërpreu menjëherë stërvitjen, ndërsa nesër pritet të kryejë ekzaminimet mjekësore, për të parë shkallën e dëmtimit.
Është e sigurt tashmë mungesa e Chiellinit për ndeshjen e nesërme në Champions ndaj Dinamos së Kievit, ndërsa lajm i mirë për Pirlon është rikuperimi i turkut Demiral, që është parë në formë mjaft të mirë në seancën e sotme.