Valon Ahmedi do të jetë mungesa e vetme në formacionin e Ernest Gjokës për transfertën me Borecin. Mesfushori ofensivë akoma ka shqetësime pas dëmtimit të pësuar në ndeshjen e çerekfinales së Kupës me Sileksin dhe nuk përfshihet edhe për këtë duel.
Ndërkohë kthehet në skuadër Armend Alimi, që humbi takimin e fundit për arsye familjare (vdekja e babait). Shkëndija nga Tetova kërkon fitore në Veles ndaj Borecit.
“E rëndësishme është që ne nuk kemi pësuar humbje në këtë sezon dhe forma jonë është në ritje. Me Makedonijan ishte ndeshje e vështirë pasi ishte rival direkt, ishin një pikë pas nesh.
Ajo fitore na jep besim, sepse të mundësh ekipin e vendit të dytë 5:0 dhe për më shumë që u shfaqëm shumë mirë në lojë, mendoj e kemi bërë ndeshjen më të mirë të sezonit. Na jep shumë besim dhe tani shkojmë me besim akoma më të madh në ndeshjen me Borecin. E dimë që jetë ndeshje shumë e vështirë. Atje fusha është sintetike, por mendoj se nuk do e kemi problem në qoftë se do të jemi të fokusuar 100% si në ndeshjen e fundit me Makedonijan, shpresoj dhe besoj të dalim me sukses”, ka thënë Dita.
Shkëndija të shtunën do të jetë përballë ekipit të katërt në renditje, pasi që Boreci pas 14-të xhirove qëndron lartë në renditje. 6 fitore, 4 barazime e 4 disfata e mbajnë skuadrën nga Velesi në kuotën e 22 pikëve dhe pozita e katërt është më se e merituar për momentin, duke llogaritur paraqitjet e deritashme.
Boreci do të ishte edhe më lartë në renditje, poqëse nuk u përball me një krizë rezultatesh kur në tre takimet e fundit kanë pësuar dy humbje.
Fillimisht u mundën 0:2 nga Vardari, ndërsa më pas humbën 1:0 në Tetovë nga Renova. Në xhiron e fundit dukeshin pranë një tjetër dështimi, por arritën të fitojnë me përmbysje 2:1 përballë Struga Trim&Lum. Përballja e parë e këtij sezoni mes Shkëndijës dhe Borecit e luajtur në Tetovë u mbyll me barazim 1:1.
Ndeshja Boreci-Shkëndija në program është të shtunën në stadiumin e qytetit në Veles me fillim në orën 13:00.