Trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman, e ka pranuar se lojtarëve të tij u mungoi përqendrimi dhe e vuri në pikëpyetje qasjen e tyre në disfatën 2:1 kundër Cadiz në La Liga.
Barca e kishte humbur vetëm njërën prej tetë ndeshjeve të fundit në të gjitha garat para ndeshjes kundër Cadizit të shtunën, klubit të sapopromovuar në ligë i cili e mposhti edhe Real Madridin këtë sezon.
Por forma e dobët e katalonasve nën udhëheqjen e Koemanit vazhdoi edhe këtë fundjavë, pasi Alvaro Gimenez dhe sulmuesi veteran Alvaro Negredo ia siguruan edhe një fitore tjetër të famshme Cadizit.
Ky triumf e dërgoi Cadizin në pozitën e pestë në renditje, derisa bëri që Barça të ngelë plot 12 pikë prapa liderit Atletico Madrid.
Barça i kishte 21 goditje, prej të cilave vetëm tetë në cak, si dhe e mbajti topin në posedim rreth 83% të kohës.
Koeman e fajësoi skuadrën për këtë rezultat, duke e vënë në pikëpyetje qasjen e tyre.
“Ne nuk mund të pranojmë gol të tillë. Ishte mungesë përqendrimi. Është e vështirë ta shpjegosh çfarë ndodhi, sepse e patëm një javë të mirë. Mendoj se pjesa e parë nuk ishte e mirë, humbëm shumë topa. U përmirësuam pakëz në pjesën e dytë”, tha Koeman pas ndeshjes.
“Bëmë hap të madh prapa në garë për titull në La Liga. Jam shumë i zhgënjyer. Kemi humbur shumë pikë në udhëtim. Nëse nuk e përmirësojmë qasjen tonë në udhëtim, nuk kam çfarë të them tjetër”, shtoi ai.