Të shtunën është inauguruar metroja e Napolit, një vepër e rëndësishme infrastrukturore për qytetin e njohur jugor italian e që ka marrë vëmendje nga media italiane.
E veçanta është se në brendësi të metrosë, tek muret janë vendosur foto apo piktura të personazheve të famshme që kanë lënë gjurmë në historinë e këtij qyteti.
Në mesin e tyre është edhe ai i njërit nga personazhet shumë të njohur për shqiptarët.
Edoardo Reja, trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, i cili ka lënë gjurmë te skuadra e famshme napolitane.
Piktura e portretit të Rejas është vendosur pikërisht në stacionin e metrosë që të çon në stadiumin që tashmë do të mbajë emrin e legjendës argjentinase, Diego Armando Maradona, i cili u nda nga jeta më 25 nëntor 2020.
Reja është mjaft i dashur për Napolin për faktin se e mori skuadrën në vitin 2005 kur garonte në Serie C dhe arriti ta ngjisë në Serie A e më pas në nivelet më të larta të futbollit italian gjatë katër viteve që ai punoi me këtë klub.
Sigurisht, napolitanët nuk e kanë harruar dhe për këtë arsye portreti i teknikut të njohur është vendosur mes personazheve më të njohur të qytetit.