Leopoldo Luque, mjeku dhe miku i Diego Armando Maradona, është i gatshëm të mbrojë veten në gjykatë, për të provuar pafajësinë e tij absolute mbi vdekjen e legjendës argjentinase të futbollit.
Luque tashmë e ka mbrojtur veten duke thënë se kurrë nuk e braktisi Diegon, por tani është koha të “bilbilojë” në gjyq dhe të ofrojë versionin e tij të fakteve. Hetimi për vdekjen e “Pibe de Oro” zbuloi “neglizhencë të madhe të mjekëve. Pacienti nuk u monitorua si duhet, nuk iu nënshtrua mbikëqyrjes së vazhdueshme mjekësore, siç do të kërkonte gjendja e tij”.
Luque, sikurse zbulon e përditshmja argjentinase “Olé”, do të paraqesë dokumente në sallën e gjyqit për të vërtetuar se ai nuk ishte mjeku i ngarkuar për t’u kujdesur për Maradonën.
Mjeku personal do të tregojë se avokati i Diegos dhe biznesmeni Victor Stinfale ishin personat përgjegjës për largimin e tij nga klinika ku u operua në kokë dhe vijimin e rehabilitimit në shtëpi.
Luque, i caktuar nga familja e Maradonës si përgjegjës për kujdesin e tij klinik, do t’iu dëshmojë prokurorëve të San Isidro, të cilët po hetojnë për rastin, se nuk ishte më mjek i “10” dhe se Stinfale e mori me vete nga klinika.
Biznesmeni dhe avokati ia kishin besuar një mjeku tjetër shëndetin e Maradonës, menjëherë pasi ai kishte firmosur dorëheqjen. Në mbrojtje të tij, neurokirurgu do të pretendojë se e ka ndihmuar Diegon vetëm për shkak të miqësisë së tyre.