Sporti i Kosovës ka mbijetuar ashtu si ka mundur në vitet e 90-ta (1991-1999), duke u përballur çdo ditë me kërcënime të llojllojshme nga pushtuesi serb.
Gjeneratës së Republikës i takon Shaban Baholli. Ai është i lidhur emocionalisht me klubin e futbollit 2 Korriku nga Prishtina.
Ata familjarisht kanë kontribuar dhe kontribojnë për klubin, që emërtimi i lidh me datën historike të vitit 1990: Deklarata Kushtetuese e Kosovës.
Baholli ka qenë ndër futbollistët më të dëshmuar në vitet e 90-ta.
Një kapiten që nuk e kishte shoqin në fushën e lojës, luftarak deri në pikën e fundit, kontributdhënës për sport dhe për shtetin e Kosovës.
Në asnjë rrethanë nuk u ndal dhe as që merakosej për kërcënimet e sigurimit shtetëror famëkeq të Serbisë, por së bashku me mijëra sportistë shqiptarë, vazhduan rrugëtimin e tyre, në garat e Republikës së Kosovës.
Ai së bashku me të vëllaun, Rexhepi, nuk u ndalën në asnjë moment, duke krijuar kushte edhe në ato kohëra të rënda.
Madje ishin shembull më i mirë, sidomos për krijimin e grupmoshave të reja, ku 2 Korriku vlonte me përplot talent në ato vite të vështira.
Baholli është krenar që ka qenë pjesë e Gjeneratës së Sakrificës dhe që e kundërshtuan ashpër regjimin kriminal të Serbisë.
Sot i bëhet zemra mal që Kosova gradualisht po rritet në rrafshin ndërkombëtar.
Shaban Baholli, njeriu që dha shumë jo vetëm si futbollist por edhe financiarisht me familjen e tij për futbollin dhe sportin në përgjithësi.