Pas më shumë se 4 vitesh, mbrojtësi brazilian Maicon Douglas rikthehet në Itali, këtë herë për të luajtur me klubin modest të Sona-s, që militon në Serinë D, apo kategorinë e katërt italiane.
Rikthimi i 39-vjeçarit në Itali ishte paralajmëruar disa ditë më parë nga drejtori sportiv i Sona-s, Claudio Ferrarese, i cili tha se braziliani ka disa biznese në Milano dhe dëshiron të jetë aty pranë.
“Ideja lindi përmes të njohurve, në këtë rast nga një bashkëpunëtor që punon shumë me djemtë brazilianë. Maicon është ende duke luajtur dhe është mirë fizikisht. Pavarësisht 39 viteve që ka mbi shpinë, është në formë të përsosur. Ai ka shprehur dëshirën për t’u kthyer në Itali, ku ka disa biznese në Milano.
Do të jetojë në Verona, jo shumë larg nga qendra e tij e interesit, dhe do të luajë me ne për disa muaj, nga dhjetori deri në fund të sezonit. Do të shohim nëse do të ndodhë, do të ishte një ëndërr për ne, por derisa ta shoh nuk e besoj, për ne do të ishte një hap i madh”, tha Ferrarese disa ditë më parë, ndërsa mbrëmjen e djeshme Maicon hodhi edhe firmën mbi kontratë.
Mbrojtësi brazilian mbërriti për herë të parë në Itali në verën e 2006-ës, kur kishte 25 vite mbi shpinë dhe iu bashkua skuadrës së Interit, fanelën e të cilit e mbajti veshur për 6 sezone dhe arriti suksese të shumta, mes të cilëve edhe tripletën e famshme në 2010-ën.
Në verën e 2012-ës Maicon u transferua te anglezët e Manchester City-t, ku qëndroi vetëm një sezon dhe u rikthyer sërish në Serinë A, këtë herë për të veshur fanellën e Romës, ku qëndroi për 3 sezone, sepse më 2016-ën u rikthye në Brazil.