Prishtina ka triumfuar me rezultat 2-1 ndaj Ballkanit, në kuadër të xhiros së 18 të Superligës së Kosovës.
Pas lojës, trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, u shpreh i zhgënjyer me ndarjen e drejtësisë.
“Referimi nuk ka qenë i mirë, pasi ka pasur luftë në 16 metërsh, por ne jemi në Kosovë dhe i dimë të gjitha çfarë ndodh, kush bjen, kush fiton e gjithçka… është koha e fundit për t’i ndalur këto gjëra, pasi edhe vjet humbëm titullin kështu”, tha ai.
“Prishtina luajti mirë. Ata patën rastet e tyre, ne të tonat, por kur gjyqtari vendos të bëhet protagonist dhe kjo është e vërteta”, tha Munishi.
“Ne si trajnera analizojmë njëri-tjetrin dhe përgatitim ndeshjen, ne erdhëm për të fituar, por edhe një barazim do të na kishte konvenuar. Arritëm dy-tre herë ta rrezikojmë Prishtinën”, tha 46 vjeçari.
“Ne kemi pasur ecuri më të mirë e këtë e tregojnë edhe pikët, po të ishte referimi korrekt Ballkani do duhej të ishte në vend të parë me gjashtë pikë diferencë nëse gjyqtarët do ishin korrekt më të gjitha ekipet njejtë”, shtoi ai.
“Nuk ka qenë ndeshje për shumë kartona, pasi as nuk jemi prerë me bajoneta as skemi luftuar me armë, futboll kemi luajtur” përfundoi Ismet Munishi.