Klodian Duro, trajneri i klubit të Feronikelit ka qenë mjaft i zëshëm pas humbjes së djeshme ndaj Llapit me rezultatin 3-2 në ndeshjen e xhiros së 18’të të Superligës së Kosovës.
Duro ishte i ftuar në “Sports Show”, ndërsa diskutoi për ndeshjen ndaj Llapit dhe disa nga vendimet e diskutueshme të atij dueli.
Teksa diskutonin për ndërhyrjen ndaj Yll Hoxhës në minutën e dytë të ballafaqimit, Duro s’mund të besonte se si ky rast nuk u vlerësua si karton i kuq për futbollistin kundërshtar që bëri ndërhyrjen.
Ndërkohë, Llumnica, analisti i sportit potencoi se Begolli dhe Hoxha janë miq të mirë dhe lojtari i Llapit s’kishte arsye për t’ja thyer këmbën kundërshtarit.
“Hoxha dhe Begolli kanë qenë paraprakisht në një klub dhe janë miq në jetën e përditshme dhe s’ka tendenca”, tha fillimisht Llumnica.
Klodian Duro reagoi shpejtë duke i thënë: “Hap një media rozë dhe thuj këto lajme”.
Lluminca potencoi se po i tregon Duros këto lajme se ai s’po i di, ndërsa Duro insistoi duke i thënë: “Okej pra këto janë private, hap media dhe do të kesh sukses”, përfundoi Duro.