Humbja e Ballkanit në kryeqytet ndaj skuadrës së Prishtinës me rezultatin 2:1, nuk i la shije të mirë trajnerit të klubit nga Suhareka, Ismet Munishit.
Një prej trajnerëve më të mirë në Kosovë, Ismet Munishi nuk e mori mirë disfatën nga Prishtina dhe “shpërtheu” në rrjetin e tij social duke ofenduar të gjithë…
Munishi nuk pajtohej aspak me penalltinë e referuar në favor të Prishtinës në minutën e 88’të, e cila u konkretizua nga mbrojtësi Besnik Krasniqi, e që në fund ai gol i solli edhe humbjen Munishit dhe “pitbullave” të tij.
Menjëherë pas takimit në prononcimin për “Art Sport”, ai tha se ajo penallti nuk ekzistonte.
Ndërkohë, në orën 18:40, Munishi filloi “ofansivën” e madhe në rrjetet sociale, që s’u ndal deri në orët e vona të mbrëmjës.
“Jeta prodhon hajna, tradhëtarë dhe Baballarë. Zgjedhja është e juaja të dashur miq. Po si për mirë si për keq do ti lani ne ketë dynja. Betohem”, shkroi Munishi në rrjetin e tij social, Facebook.
Më pasi ai e pati me gjyqtarin e ndeshjes, Tefik Malokun, të cilit ia “thuri” disa vargje.
“Legjenda e referimit. Më i miri, i pa diskutueshmi, më i drejti, referi numër një në Evropën Jug-lindore dhe më gjerë. Zonja dhe zoterinjë ky eshte Tefik (Fiku) Maloku”, shkroi Munishi.
Pasi filloi emisioni, “Sports Show”, vazhdoi “show” nga Munishi. Në Klan Kosova ishin të ftuar nga klubi i Ballkanit, Feronikelit e ekspertë të referimit. Klodian Duro ishte i mendimit që penalltia ishte e lehtë në takimin Prishtina-Ballkani.
E për këtë mendim të Duros, reagoi Munishi, duke shkruar: “Kosovës me vite i kanë munguar trajnera si ti që kanë … Tash jemi dy. Respekte miku im. Unë dhe ti jemi mësu m’i arrit gjanat vet, prandaj jemi kështu të hapur dhe të drejtëpërdrejtë”.
Kryetrajneri i Ballkanit nuk u ndal as më vonë, duke shpjeguar edhe njëherë në Facebook mendimin e tij lidhur me penalltinë e akorduar nga referi, Tefik Maloku në minutat e fundit të duelit.
“Së pari është faull te Visar Berisha, pastaj është luftë në mes dy futbollistëve. Por e kemi dit para lojës çka ndodhë. Ju lumtë, po ju ec, vazhdoni. Mos u nalni”, shkroi përsëri Munishi.
Postimet e tij në Facebook i përmbylli me një postim tejet ofendues ndaj analistëve, strategëve dhe të gjithëve komplet.
“Unë jom baba për juve. M’i rrofshi b*** komplet analista, stratega dhe të gjithë komplet. Unë jom baba”, shkroi ai, duke ngjallur debat të jashtëzakonshëm në profilin e tij në Facebook.
Ky postim i tij qëndroi për një kohë – por sot nuk figuron më. Siç duket trajneri ka kuptuar gabimin dhe ka larguar postimin e tij nga profili i tij.
Përveç Facebookut, Munishi reagoi edhe direkt ndaj të ftuarve në studiot televizive.
Petrit Hadri, gjyqtari ndërkombëtar analizoi penalltinë e ndeshjen Prishtina – Ballkani dhe menjëherë pas deklaratës së tij i erdhi një reagim në Messenger.
“Ik more bërllog, ik more bërllog. Avokat i dreqit”, i kishte shkruar Munishi – Hadrit në Messenger.
Ai nuk e la me kaq, pasi i reagoi edhe gazetarit të Klan Kosovës, Kron Sadikut – pasi ky i fundit i cili ishte në bashkë-komentim me Emanuell Sylan kishte potencuar se penalltia ekzistoi.
Munishi i ka shkruar Sadikut në Istagram gazetarit duke i thënë: “Me mu e ke kry për 100 vjet, bërllog”.
Për ta përmbyllur “shpërthimin”, Ismet Munishi u përkujdes të lidhet direkt në emisionin “Dueli Sportiv” në Televizionin Dukagjini.
“Marre është çka ka ndodhë sot, e kemi dit para ndeshjes, dikë do ta pret burgu, sepse jane t’u ndodhë gjëra të jashtëzakonshme në futbollin e Kosovës, vitin e kaluar dhe këtë vit, kjo është e vërteta”, tha Munishi në lidhjen direkte.
Për gjithë këto veprime që “Baba” i bëri në vikend, ai mori një mori kritikash nga persona të ndryshëm në rrjetet sociale – ndërsa publikisht u “këshillua” edhe nga trajneri, Bylbyl Sokoli e trajneri më i suksesshëm, Afrim Toverlani.
“Duhet m’u marr me ekipin e vet, ka potencial brenda skuadrës së tij që edhe referët m’i mposhtë, mos të merret shumë me portale dhe me njerëz tjerë, le të koncentrohet tek skuadra e tij. Ismeti ka stabilitet financiar, ka një kryetar që e përkrah në çdo moment, ka dy formacione të barabarta në mesin e tij, ka transferuar lojtaret më të shtrenjtë në skuadrën e tij, duhet të koncentrohet në skuadrën e tij. Ismetin e këshilloj të mos merret me këto gjëra, pasi do të del humbës, le të merren strukturat tjera te klubit. Sot, referi s’e demtoj, as me Dritën, Ballkani me gjithë potencialin që e ka pak prodhoi, nuk ishte ai Ballkani që e shohim çdoherë”, tha Toverlani në Dueli Sportiv.
Ndërsa Sokoli potencoi se Munishi nuk duhet të merret me statuse në Facebook dhe duhet të ketë kujdes.
“Nuk ish duft Ismeti me u lodh me u marr me statuse, duhet me pas kujdes. Ismeti po e drejton mjaft mirë këtë ekip dhe është skuadër mjaft e fuqishme. Në 10 vitet e fundit s’kemi pasur ekip më të fortë”, tha Bylbyl Sokoli në Duelin Sportiv.