Agim Ibraimi është përshtatur shumë mirë dhe shpejt me kampionatin shqiptar, teksa është duke treguar një formë të shkëlqyer, duke e ndihmuar Kukësin në marrjen e rezultateve pozitive. Në një prononcim të dhënë për “Sport Time”, sulmuesi i verilindorëve ka treguar për bisedën me drejtorin Nexhipi, pro edhe për të kaluarën kur ishte afër Partizanit.
“Kur kam takuar Nderim Nexhipin, më ka thënë që të mos e mbyll karrierën pa luajtur njëherë në Shqipëri dhe po shikoj që paska pasur të drejtë. Futbolli shqiptar është më lart se ai maqedonas.
Atje janë vetëm 2-3 ekipe, këtu luftojnë të gjitha skuadrat. Kanë edhe stadiume të mira mund të veçojmë, Elbasanin, Shkodrën dhe të tjerat.
Partizani? Po është e vërtetë që isha pranë firmës me të kuqtë. Por, në atë kohë firmosa me Shkëndijën e Tetovës. Gjej rastin t’i përshëndes për mundësinë e dhënë. Për Vllazninë e kam thënë që bëjnë lojën më atraktive në Shqipëri. Kampionati është shumë i gjatë dhe s’duhet marrë çdo ndeshje me eufori.
Futbolli ka treguar se s’duhet t’i marrim gjërat lehtë. Kur fitojmë jemi gjithë bashkë, dihet. Por, edhe kur humbim është e njëjta gjë.”, u shpreh Ibraimi.