Është edicioni i 22-të i Kupës pas luftës dhe i 27-të nga mëvetësimi i futbollit tonë më 1991 (në edicionin 1991/92 garat e Kupës nuk ishin zhvilluar, trofeu ishte ndarë vendit të dytë në klasifikim).
Prishtina dhjetë herë finalist, më së shumti në Kosovë, ka fituar 7-herë trofeun (dy herë para luftës) dhe ka humbur tre finale (të gjitha pas luftës).
Prishtina është fituese aktuale e Kupës dhe nga 1/16 e finales nisë mbrojtjen e trofeut nga rivalët e kryeqendrës, anëtare e Ligës së tretë, Kosova VR të Prishtinës.
Kosova VR pati rënë nga elita e futbollit tonë në vitin 2007, dhe nga ajo kohë skuadrat janë takuar vetëm edhe njëherë, në edicionin e Kupës 2017/18 në tetën e finales ku kishte triumfuar Prishtina (5:0).
Ndërsa, nga edicioni 1999/00, dy skuadrat kanë 19 përballje. Kosova pati regjistruar vetëm një fitore, edhe atë në kuadër të Kupës në ndeshjen kthyese të çerekfinales (2:0) duke e kualifikuar tutje dhe duke fituar në fund trofeun.
Janë regjistruar edhe tre barazime dhe 15 fitore të bardhekaltërve.
Skuadrat e Superligës së Kosovës, ndeshjet e Kupës fillojnë gjithmonë nga 1/16 e finales. Prishtina vetëm në dy raste pas luftës nuk ia ka dalë të kalonte këtë raund të parë garash, në vitin 1999 ishte eliminuar në shtëpi nga Besiana (0:0, 2:3 pen.) dhe në vitin 2013 nga Vllaznia e Pozheranit si mysafire (0:0, 4:3 pen.) eliminim ky më i rëndi pas luftës pasi që rivali vinte nga dy rangje më poshtë garash.
Duhet theksuar se Prishtina edhe gjatë viteve 80-ta sa garonte në ish-Ligën e parë federative, dy herë ishte eliminuar nga skuadra që vinin nga dy rangje më poshtë garash, shkruan në faqen e FC Prishtina.