Kandidati për president të Barcelonës, Joan Laporta, e ka bërë të qartë se synimi parësor i tij është ta mbajë Lionel Messin në klub.
Marrëveshja e Messit me Barçën mbaron më 30 qershor dhe nga 1 janari, argjentinasi është i lirë të bisedojë me klubet e tjera të cilave mund t’iu bashkohet falas në verë.
Pas një sezoni tejet të dobët dhe dëshpërues, Messi e kërkoi largimin nga klubi në verë, por nuk u lejua të largohej për shkak të një klauzole të lartë prej 700 milionë eurove.
Laporta shpreson të zgjidhet president dhe ta formojë një ekip i cili është në gjendje ta fitojë Ligën e Kampionëve, në mënyrë që ta mbajë të lumtur Messin.
“Ne do t’i përdorim të gjitha aftësitë tona për ta mbajtur Messin në klub”, tha Laporta për MARCA.
“Shitja e Cristiano Ronaldos nga Real Madridi kishte rrethana tjera; rasti i Leos është i veçuar. Ai do të ishte njëri prej lojtarëve të pakët, si Pele, që ka luajtur vetëm për një ekip”, shtoi ai.
“Unë kam marrëdhënie të mira me Leon. Ai e do Barcelonën. Jam i bindur se ai mezi e pret ofertën nga presidenti i ri. Unë do të përqendrohem kryesisht në ndërtimin e një ekipi garues i cili mund ta fitojë Ligën e Kampionëve. Nëse e bëj këtë propozim, do ta përmbush. Jam me fat që e kam besimin e Leos”, shtoi ai.