Për menaxherin e futbollit italian, Danilo Karavejo, sulmuesi Vedat Muriqi do të duhej të luante për Fiorentinën dhe jo për Lacion. Në një prononcim të fundit për mediat italiane, ai analizon se lojtari i Kosovës nuk ka karakteristikat për t’iu përshtatur stilit të lojës së bardhekaltërve.
Karavejo beson se 26-vjeçari do të bënte më mirë te Fiorentina.
Në 8 ndeshje me Lacion deri tani, ish-sulmuesi i Fenerbahçes nuk ka shënuar asnjë gol.
“Muriqi mezi ka rënë në sy këtë vit, por nga mënyra si luan, ai nuk ngjan si lojtar i përshtatshëm për Lacion. Nuk i vë në diskutim aftësitë e tij, por them se Lacio duhej të kishte gjetur një lojtar me tipare ndryshe.
Ai është një sulmues zonal, i cili pret krosimet. Mendoj se karakteristikat e tij i shkojnë më për shtat Fiorentinës. Atyre u mungon një futbollist që të finalizojë krosimet e Kastrovilit dhe Riberisë. Bardhekaltërit duhej të kishin menduar të gjenin një lojtar të ngjashëm me Imobilen”, u shpreh menaxheri i futbollit italian Daniel Karavejo.