Antonio Conte vlerësoi maksimalisht suksesin që arriti Interi i tij ndaj Napolit, me zikaltrit që koleksionuan fitoren e 5-të rresht në kampionat dhe e ngushtuan në vetëm 1 pikë diferencën me Milanin kryesues.
Gjithsesi Interi ishte me shumë fat në sfidën e San Siros ndaj Napoli dhe për 3 pikët duhet ti falet për portierit Handanovic me kapitenin që iu rikthye kohëve të arta, duke shpëtuar Interin nga të paktën 3 gola të sigurt. Për Conten fitorja ndaj një skuadre pretendente si Napoli vlen dyfish.
“Nuk ishte aspak një ndeshje e lehtë, Napoli është një ekip i shkëlqyer. Ishte një përballje shumë taktike, të dy ekipet e respektuan njëri-tjetrin.
Sigurisht që nuk ishte një ndeshje e bukur për t’u parë, por rëndësi kanë tre pikët që morëm. Fitorja ndaj një skuadre ambicioze si Napoli vlen dyfish.
Djemtë e ndjenë peshën e fitores në minutat e fundit. Interi duhet të mësohet të vuajë dhe t’i përjetojë këto lloj situatash, por është një sinjal i mirë të fitosh në këtë mënyrë“, theksoi Conte.