Diego Simeone dhe German Mono Burgos kanë formuar për shumë vite një dyshe të pandashme në pankinën e Atletiko Madrid.
Por ndihmësi besnik i “Cholo”, disa muaj më parë vendos t’i jepte fund kësaj experience përkrah tij dhe u largua nga stafi i Atletiko Madrid.
Një miqësi që vështirë se mund të harrohet mes të dyve, por me sa duket është ftohur kohët e fundit, siç ka shpjeguar vetë Burgos në një intervistë për “Marca”.
“E telefonova kur ishte i sëmurë me COVID. Kemi një miqësi e cila zgjat prej shumë vitesh.
Kam drekuar e darkuar më shumë me të se me familjen time. Kemi qenë 8 vite bashkë në përfaqësuesen e Argjentinës dhe 5 vite te Atletiko Madrid si lojtarë, pastaj 10 si trajnerë. Miqtë flasin kur ka diçka që nuk shkon, nuk më pëlqen të shqetësoj askënd.
Tani duket se ka ndyrshuar numrin e celularit, pasi i kam dërguar një mesazh pas ndeshjes me Real Madrid dhe nuk më është përgjigjur…”, ishin fjalët e Mono Burgos, ndoshta i vetmi që ka arritur t’ia mbyllë gojën Zhoze Murinjos kur kërcënoi këtë të fundit gjatë derbit të madridit se do ia këpuste qafën.