Ndërtimi i stadiumeve për Kupën e Botës Katar 2022 ka sjellë në pesë muajt e fundit një total prej 67 punëtorësh të vdekur. Origjina e punëtorëve të vdekur është nga Nepali, teksa një Organizatë Jo Qeveritare (OJQ) për të drejtat e njeriut po studion dhe denoncon fenomenin.
Numri i punëtorëve të vdekur në muajt e fundit është rritur. Nga korriku e deri në fundi e nëntorit janë 67 punëtorë që kanë humbur jetën dhe familjarët nuk kanë marrë informacione për këto ndodhi.
Sipas raportimeve jashtë vendit, përfaqësuesit e kompanive mjaftohen me një telefonatë për të bërë me dije humbjen e jetëve te familjarët, ndërsa nuk jepen më shumë detaje.
“Të thuash se të gjithë ata punëtorë që punojnë për Kupën e Botës janë në kushte të mira nuk është e vërtetë. I gjithë vendi po ndryshon për të pritur Kupën e Botës 2022. Ka qindra-mijëra të angazhuar në mbarë vendin që po punojnë për të ndryshuar imazhin”, tha për Dailymail një përfaqësues I OJQ-së.
Më tragjik është fakti se në listën e punëtorëve që humbasin jetën në ndërtimin e stadiumeve dhe jo vetëm, numri mund të shtohet dhe deri në fund të punimeve mund të kemi gjithsej rreth 4500 të vdekur. E gjitha kjo ndodh në një kohë kur FIFA thotë se po monitoron çështjen, por nuk duket e gatshme për të ndërhyrë. /Insporti/.