Drejtori Sportiv i Lazios, Igli Tare, ka folur për blerjen e re të klubit, Vedat Muriqin, dhe tregoi arsyen e blerjes së prizrenasit.
Igli Tare duke folur pas ndeshjes ndaj Napolit, ka folur për Vedat Muriqin, ku tha se Lazio e solli atë si zëvendësim per Felipe Caicedo, i cili kishte ofertë të largohej.
“Më shumë se një rast është një mundësi e shkëlqyer për të kërkuar një fitore që mund të jetë shumë e dobishme për frymën e kësaj skuadre”, tha ai.
Gazetari e pyeti edhe për Vedat Muriqin dhe situatën e tij.
“Jam i kënaqur me këtë pyetje kështu që mund të sqarohem njëherë e përgjithmonë. Në fund të sezonit të kaluar Caicedo kishte një marrëveshje me mua dhe presidentin për një ofertë në Katar, kjo është arsyeja pse ne nënshkruam Muriqin i cili ishte zëvendësuesi i tij”, tha Tare.
“Pastaj për disa arsye ky propozim nuk u materializua, Caicedo qëndroi në Romë dhe ne jemi shumë të lumtur, ai nuk bëri asnjë bisedë me mua për të shkuar në Fiorentina. Besnikëria e tij nuk është në diskutim”, përfundoi Igli Tare.