Në pritje për të zgjidhur situatën me kapitenin Papu Gomez, i cili me shumë gjasa do të largohet nga Bergamo në janar, drejtuesit e Atalantës kanë siguruar blerjen e parë për merkaton e janarit.
Bëhet fjalë për anësorin danez Joakim Maehle, i cili është pjesë e belgëve të Genk dhe që në fundjavë do të luajë ndeshjen e fundit me ta, për të fluturuar më pas drejt Bergamos, ku do të kryejë vizitat mjekësore dhe do të vihet nën urdhrat e Gasperinit.
Marrëveshja për transferimin e 23-vjeçarit danez është arritur mbi bazën e 10 milionë eurove plus bonuset mbi paraqitjet, ndërsa në Bergamo e shohin Maehle si zëvendësuesin ideal të Hans Hateboer.
Kjo pasi danezi është 185 cm i gjatë dhe ka një bagazh teknik për t’u admiruar, ndërsa me Genk ka luajtur qoftë si mbrojtës i djathtë në skemën me 4, qoftë si mesfushor anësor në skemën 3-5-2.
Gjithashtu Maehle ka eksperiencë të mjaftueshme edhe në nivelin ndërkombëtar, pasi prej kohësh është titullar i kombëtares daneze, ndërsa vitin e kaluar luajti edhe në grupet e Ligës së Kampionëve me Genk.