Shtyrja e Lojërave Olimpike “Tokio 2020” për verën e ardhshme ka rritur me 22% koston e kësaj Olimpiade. Ka qenë ky informacioni që kanë dhënë sot organizatorët e eventit më të madh olimpik.
Kostoja e parashikuar për Olimpiadën ishte 12.6 miliardë dollarë, ndërkohë që organizimi i saj verën e ardhshme ka bërë që kostoja të shkojë në 15.4 miliardë dollarë.
Shuma prej 2.8 miliardë dollarësh ka rënduar jo pak buxhetin. Shtyrja e Olimpiadës erdhi si pasojë e pandemisë Covid-19 dhe kjo shtesë e buxhetit do të përdoret pikërisht për menaxhimin e pandemisë. Por një pjesë e mirë e shumës shtesë ka ardhur edhe si pasojë e mosrespektimit të kontratave.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) u shpreh se do të financojë 1.3 miliardë dollarë të kësaj shume shtesë, për të mbështetur organizatorët.
Lojërat Olimpike do të nisin më 23 korrik 2021.