Mesut Ozil dhe Arsenal, marrëdhënia është gjithnjë e më e ngrirë. Futbollisti gjerman është lënë jashtë ndeshjeve europiane dhe të Premier League nga trajneri actual, Arteta.
Dhe, duke qenë se skuadra londineze nuk po bën mirë për momentin, turko-gjermani nuk e ka humbur mundësinë për të treguar disa gabime të pretenduara, të bëra nga menaxhmenti i klubit dhe trajnerët gjatë viteve të fundit.
Në fakt, gjatë një seance pyetje-përgjigjesh me tifozët, ai zgjodhi Guendouzi si lojtarin më të nënvlerësuar, me të cilin ka luajtur: “Jam i sigurt që një ditë ai do të bëhet futbollist i shkëlqyeshëm, është më i nënvlerësuari tek Arsenali”.
Pastaj bisedoi mbi Aaron Ramsey, i cili u transferua falas te Juve, një vit më parë: “Lojtar fantastik, mik i mirë. Ai ishte një shok skuadre fantastik”. Ozil pastaj thuri lavde për Arsene Wenger: “Ai ishte me të vërtetë një trajner fantastik. Arsene është gjithashtu një figurë babai për mua dhe shumë lojtarë të tjerë… Unë mendoj se shumë njerëz tek Arsenali i ka marrë malli me të vërtetë për të”.
Kur u pyet nëse ishte i lumtur në klub, më në fund, gjermani u përgjigj: “Është një kohë shumë e vështirë për të gjithë tek Arsenali, jo vetëm për mua. Situata është zhgënjyese për të gjithë.
Padyshim që do të doja të isha në gjendje ta ndihmoja ekipin, veçanërisht për momentin, por derisa të kem rastin, thjesht shpresoj të shoh rezultate më të mira, shumë shpejt. Sidoqoftë, le të jemi pozitivë në mendime”.