Ish-mesfushori i Kombëtares, U-17 dhe U-19, Lorik Aliu, i ka dhënë fund futbollit të luajtur në moshën 24-vjeçare. Ky vendim erdhi për shkak të dëmtimeve të shumta, që ia bënë të pamundur realizimin e ëndrrës të madhe që Aliu kishte.
Lajmi për tërheqjen përfundimtare nga futbolli është konfirmuar nga vetë 24-vjeçari, ku shkroi:
Familjarë, shoqëri, dashamirë të futbollit!
Po shfrytëzoj këtë postim për t’ju dhënë një lajm jo të mirë për mua dhe të gjithë ata që më projektuan në majat e sportit më të bukur, FUTBOLLIT.
Kam vendosur që përfundimisht t’i jap fund karrierës time si futbollist aktiv, për shkak të lëndimeve të shumta duke e cilësuar si vendimin më të drejtë.
Është tejet e vështirë që të vendos atletet në gozhdë, pasi që ëndrra më e madhe e jetës time u ndërpre e u shua shumë shpejt.
Ëndrra për tu bërë futbollist profesionist i nivelit të lartë, do ngelet në sirtarin tim, si e parealizuar përjetësisht.
Dua që t’ju falenderoj të gjithëve që më qëndruat afër nga dita e parë e deri sot, dhe bashkëndjetë me mua dhimbje, zhgënjime e triumfe, por fati deshi të përfundonte kështu.
Shihemi në sfida të reja!!