Lorik Aliu në moshën më të mirë i dha lamtumirë futbollit aktiv! Ai vlerësohej si talenti më i madh që kishte Kosova, por lëndimet e shumta e kanë bërë të veten dhe djaloshi i artë nuk kishte asnjë shtegdalje tjetër, përveç që të largohet nga loja më e popullarizuar në botë. Axha i tij, Bekimi, gazetar i mirënjohur sportiv, e ka përjetuar me emocione të thella largimin e tij nga loja aktive.
“Sot, bota e futbollit shqiptar dhe familja jonë mori një lajm që nuk e besonim dot. I cilësuar si një prej talenteve më të më të mëdhenj të futbollit shqiptar, Loriku (djali i vëllait) vendosi t’i var atletet në gozhdë. Për shumë vite u përball me lëndime të shumta të cilat e detyruan atë të marrë hapin më të dhimbshëm në jetë- ndarjen nga futbolli i luajtur.
Për vite të tëra klubit të Prishtinës (kategoritë e reja) Loriku i solli gëzime, suksese e tituj. Po kështu, duke qenë edhe kapiten i Kombëtares Shqiptare, Loriku luajti me shumë sukses.
Tashmë ai do të vazhdojë një rrugë të re, gjë të cilën ia mundëson edhe shkollimi i kryer ndërkohë (master i shkencave sportive).
Por, sot e përgjithmonë do të më tingëllojë në veshë brohorima e aq shumë tifozëve që i ke pasur:
“Bravo Lorik!”.
Suksese nip im! E di që ti do t’ia dalësh çdo sfide që do të të dalë përpara.
Lorik, krenaria e familjes, të duam të gjithë siç të kemi dashur përgjithmonë!”, ka shkruar Bekim Aliu në profilin e tij në facebook.