Gjeneratat e reja pak dijnë për Afrim Tovërlanin!
Një pionier i Prishtinës dhe nëse dikush e meriton të quhet besniku i kryeqytetit respektivisht i klubit të futbollit Prishtina, ai është Afrim Tovërlani!
Pikërisht me 20 dhjetor të vitit 1984, kryesia e KF Prishtinës kishte marrë vendim, që futbollisti Tovërlani, si 17-vjeçar të përfshihet në ekipin e parë, në mesin e yjeve, si kapiteni Fadil Vokrri, Fadil Muriqi, Kujtim Shala, Sahit Kelmendi, Skënder Shengyli, Mensur Nexhipi etj.
Tovërlani i treti ulur, në të djathtë
Me 22 dhjetor në rubrikën e sportit “Rilindja”, jepet lajmi se, Ajet Shosholli emërohet kryetrajner i ri dhe Afrim Tovërlani, junior i Prishtinës dhe anëtar i reprezentacionit shtetëror, transferohet në taborin e lojtarëve të skuadrës së parë, si bursist i klubit.
Tovërlani i bashkohet Prishtinës në kohën kur me ekip dridhnin një ish Jugosllavi.
Dhe që nga atëherë ka një titull kampioni me pionierët e Prishtinës në rangun e ish Jugosllavisë në vitin 1983.
Nga 1991 me pavarësimin e futbollit të Kosovës, ka 5 tituj dhe dy Kupa e 2 Superkupa deri në vitin 2003 si futbollist kur e ka përfunduar karrierën.
Pastaj tre tituj e një Kupë dhe dy Superkupa si trajner i Prishtinës, pa numëruar titujt me kadetët dhe juniorët e Prishtinës. Nga 7 tituj të Prishtinës pas luftës 3 i ka fituar Toki, të katërtin nuk e lan njerëzit e vet brenda klubit. Shkurt e shqip, “Toki” u lind për futboll e për tituj dhe trofe tjerë!