Duro pëson humbjen e parë, Bylis mposht Apoloninë

Futboll

Duro pëson humbjen e parë, Bylis mposht Apoloninë

Më: 27 dhjetor 2020 Në ora: 17:20
Duro pëson humbjen e parë, Bylis mposht Apoloninë

Vllaznia tregohet e pamëshirshme me Skënderbeun, pasi fitoi me rezultatin e thellë 5-1 në “Loro Boriçi” dhe u shkëput edhe më shumë në krye të renditjes, duke shkuar në kuotën e 25 pikëve, momentalisht 8 më shumë sesa Kukësi i vendit të dytë.

Sfida u bë më e lehtë nga sa pritej për kuqeblutë, pasi një gabim në mbrojtje i korçarëve, u shfrytëzua maksimalisht nga Demir Imeri, që dërgoi topin në rrjetë pas vetëm 37 sekondash lojë, ndërsa më pas Skënderbeu humbi edhe shërbimet e mbrojtësit veteran Ditmar Bicaj, që la fushën e lojës i dëmtuar.

Në minutën e 35-të “skenën” e mori sulmuesi vlonjat Ardit Hoxhaj, i cili si një ish i kësaj sfide, arriti të dërgojë topin në rrjetë pas një grushtimi të portierit Dajsinani. Spektakli i Hoxhajt sapo kishte filluar sepse në minutat 42’, 53’ dhe 60’, arriti të shënojë edhe 3 herë të tjera në portën e Skënderbeut, duke kompletuar pokerin e golave në një ndeshje të vetme.

Natyrisht një lloj arritjeje kjo për sulmuesin vlonjat, pasi në Superiore shënimi i 4 golave në një ndeshje është fenomen i rrallë, thuajse i panjohur, ndërsa Hoxhaj ngjitet edhe në krye të listës së golshënuesve të kamponatit, me plot 6 të tillë.

Golin e vetëm për korçarët e shënoi Mensah pas një devijimi disi edhe me fat, ndërsa kjo ishte fitorja e 8 sezonale për shkodranët, që ngjiten kështu në krye të renditjes me 25 pikë, pozicion të cilin do ta mbajnë për gjithë vitin 2020, pavarësisht rezultatit që do të marrin tri ditë më pas në klasiken e futbollit shqiptar ndaj Tiranës në kryeqytet.

Shpëtim Duro pëson humbjen e parë në pankinëne Laçit dhe e bën këtë në Kamëz ndaj Kastriotit, me krutanët që fituan me rezultatin minimal 1-0. Mjaftoi një gol i Indrit Prodanit në minutën e 24-t të sfidës për t’i dhënë 3 pikët Kastriotit, që ngjitet në kuotën e 16 pikëve dhe përkohësisht mban vendin e 5-të të renditjes.

Më pas kurbinasit provuan të përmbysin gjithçka dhe zhvendosën lojën në gjysmëfushën e krutanëve thuajse gjatë gjithë pjesës së dytë, por pritjet spektakolare të Isli Hidit, gabimi i Xhixhës nga pika e penalltisë dhe shtylla u mohuan golin e barazimit.

Merr fitoren e dytë sezonale edhe Bylis, që mposhti Apoloninë në sfidën e zhvilluar në stadiumin “Adush Muça” të Ballshit. Anthony Beji shënoi dy herë për mallakastriotët, ndërsa më pas ishte Andi Hadroj që vulosi suksesin, para se kapiteni Ymeraliaj të shënonte në portën e tij golin e vetëm në favor të fierakëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat