Viti 2020 në Kategorinë Superiore do të mbyllet me ndeshjet e javës së 12-të që do të luhen ditën e mërkurë. Vllaznia, e cila tashmë është shpallur “kampione e dimrit” pas humbjes së thellë të Kukësit 4-1 me Partizanin, do të luajë për herë të dytë këtë sezon “klasiken” e futbollit shqiptar me Tiranën.
Kuqeblutë do të luajnë në kryeqytet me kampionët në fuqi në orën 13:45. Në sfidën e parë, shkodranët fitonin në fund 3-2 në “Loro Boriçi”.
Një tjetër sfidë interesante është Kukësi-Teuta. Të dyja skuadrat kanë momentalisht pikë të barabarta nga 17. Kukësi duhet të bëjë autokritikë pas humbjes së thellë 4-1 me Partizanin, më e rënda në 10 vitet e fundit, ndërsa dhe durrsakët duhet të heqin dorë nga numri i shumë barazimeve. Ky takim do të luhet në “Elbasan Arena” në 16:45.
Një tjetër sfidë interesante është Laçi-Partizani e orës 13:45. Të kuqtë janë në momentin më të mirë të këtij sezoni pasi kanë grumbulluar 6 pikë me 6 gola në dy takimet e fundit. Laçi po e sheh veten në momentin më të keq në këto vite teksa ndodhet në vendin e shtatë me 11 pikë.
Dy sfidat e tjera janë Skënderbeu-Bylis dhe Apolonia-Kastrioti, të cilat luhen po në orën 13:45.
Java e 12-të e Kategorisë Superiore
Kukësi-Teuta (16:45)
Tirana-Vllaznia (13:45)
Laçi-Partizani (13:45)
Apolonia-Kastrioti (13:45)
Skënderbeu-Bylis (13:45)