Afrim Tovërlani, si futbollist i takon Gjeneratës së Artë të KF Prishtinës së kapitenit Fadil Vokrri (në vitet e 80-ta), Gjeneratës së Sakrificës (1991-1999) dhe disa vite pas lufte, edhe si kapiten i skuadrës më të trofeshme në Kosovë.
Pastaj si kryetrajner futet në histori në 21 vitet e fundit, më me së shumti tituj (4 herë kampion, 3 tituj me Prishtinën dhe 1 me Feronikelin) dhe trofe të tjerë.
Me 26 nëntor të vitit 2007, para 13 viteve, ai në një intervistë për gazetarin e gazetës kombëtare “Bota sot”, Fazli Berisha, mes të tjera kishte thënë “Prishtina është kampion vjeshtor me rezervat e vitit të kaluar”.
“Bota sot”: Ju dhe ky brez i futbollistëve keni arritur një rekord, prej 10-të fitoreve në radhë. Cili ishte çelësi i këtij suksesi?
Afrim Tovërlani: Jo vetëm sa i përket 10 ndeshjeve të fituara rresht, por ka edhe disa rekorde tjera të thyera nga djelmoshat e Prishtinës këtë vjeshtë.
Që nga fillimi kam besuar në këta futbollistë sepse i kam njohur mirë cilësitë e tyre, ani pse shumica prej tyre vitet e kaluara nuk kanë qenë standard në Prishtinë dhe nuk u është besuar sa duhet. Pra, Prishtina është kampion vjeshtor me rezervat e vitit të kaluar.
Çelësi kryesor i këtyre sukseseve ka qenë puna, disiplina dhe ndërrimi i karakterit të ekipit nga ai i viteve të kaluara. Jam falënderues për futbollistët e Prishtinës për punën, angazhimin dhe disiplinën e treguar gjatë këtij stinorit.
Po ashtu falënderoj bashkëpunëtorët e mi të shtabit teknik si dhe adhuruesit "Plisat" që me korrektësi na ndoqën kudo. Ka qenë koha e fundit që të fillojmë të luajmë sikur të tjerët në Evropë sepse jemi pjesë e saj dhe të angazhohemi që ta zëmë hapin me të tjerët, ndonëse nuk do të jetë aspak e lehtë. E tëra kjo, na obligon që të punojmë dhe të angazhohemi edhe më shumë.