Grent Halili ishte në konferencën për shtyp në krah të trajnerit Nevil Dede, në prag të ndeshjes me Vllazninë. Sulmuesi foli për përballjen me shkodranët, paragjykimin për gabimet në fushë, por edhe synimet e bardhebluve për këtë sezon.
Jeni i kënaqur me paraqitjet tuaja në fushën e lojës?
Nuk them se po paraqitem më mirë, por dua të theksoj se vij pas një kohe të gjatë pa luajtur. Kur një lojtari i mungojnë minutat, sigurisht edhe performanca është e dobët. Fatmirësisht kam marrë minutat e duhura këtë sezon dhe besoj se po kthehem si në fillim të sezonit të shkuar. Vjet pas paraqitjeve të mira vendosën të mos luaja më. Këtë vit kam ritmin e duhur dhe kjo më jep besim të vazhdoj përpara.
Sa e rëndësishme është ndeshja ndaj Vllaznisë?
Jo më kot quhet klasikja e futbollit shqiptar, por çdo ekip ka objektivat e veta. Meritojnë respekt për atë që kanë bërë deri më sot, si çdo kundërshtar tjetër. Ne jemi Tirona dhe futemi në fushë vetëm për tre pikët. Çdo ndeshje ka specifikën e vet, por ne do tentojmë fitoren për ta mbyllur vitin në mënyrën e duhur.
E mendoni një hakmarrje për atë humbje në shtesë në fazën e parë?
Nuk mendojmë për hakmarrje, pasi ata janë të parët dhe ne të shtatët. Fokusi janë pikët dhe nuk ka asnjë lloj hakmarrje. Synojmë të fitojmë dhe të ngjitemi aty ku duhet.
Pse i mungojnë rezultatet Tiranës këtë sezon?
Çdo njeri e krijon fatin e tij vet. Ne nuk e kemi krijuar siç duhet. Kemi kaluar disa herë në epërsi, por nuk e kemi ruajtur. Ose në ndeshje të tjera që kemi krijuar raste dhe nuk kemi shënuar. Mendoj se është vetëm një ngërç. Me kalimin e kohës, duke kuptuar edhe idetë e trajnerit, do arrijmë të shënojmë edhe më tepër.
A mendoni se një fitore ndaj shkodranëve mund të shërbejë si pikë kthese, si vitin e kaluar me fitoren ndaj Partizanit?
Ajo ndeshje derbi vjet do të mbahet mend gjatë, ajo është pika jonë e kthesës. Ajo nuk kishte diçka specifike, thjesht u futëm në lojë, siç bëmë edhe më pas me besim tjetër. Ishim 18 pikë mbrapa, sot jemi 10, dhe dëgjoj që Tirana e ka humbur shpresën për titull. Kampionati është i gjatë, ka edhe tre faza. Akoma nuk ka mbaruar asgjë dhe këtë dua ta theksoj. Mbase do jetë ndeshja që do kthejë edhe rezultatet për ne.
E mendoni golin ndaj Vllaznisë?
Goli është ndjesi e mirë dhe të jep besim. Me Teutën më vjen keq që nuk vlejti tre pikë. Shpresoj të shënoj dhe t’i jap tre pikët ekipit. E rëndësishme është të fitojmë dhe t’u japim tifozëve një dhuratë për fundvit.
Si e përballoni kur ju gjykohet çdo pasim, apo jeni mësuar?
Pa dashur t’ju ofendoj. Më janë bërë shumë pyetje të tilla, si jo paragjykimi i tifozëve, dhe jam shumë i lodhur t’u përgjigjem këtyre pyetje. Çdo njeri gabon, nuk besoj se ka diçka të keqe. Një gabim i imi gjykohet ndryshe nga ai i shokëve kur gabon. Kjo gjë më pëlqen, më pëlqen presioni, të jem i paragjykuar.
Nuk më bën më përshtypje. Thjesht shoh lojën dhe mendoj t’ia shpërblej ekipit dhe çunave, të cilët më mbështesin.