Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ndien se skuadra e tij është duke u mbushur me vetëbesim, i cili është çelësi i paraqitjeve mbresëlënëse dhe frytdhënëse të skuadrës londineze në javët e fundit.
Topçinjtë e patën një periudhë të shkëlqyer festive, pasi fitoret kundër Chelseat dhe Brightonit e shukatën temën e betejës së mbijetesës në Premierligë për Arsenalin.
Dhe tani pas fitores 4:0 kundër West Bromit të shtunën, Arsenali është ngjitur në pozitën e 11-të në renditjen tabelore në Premierligë.
Në një natë me borë në Hawthorns, Kieren Tierney, Bukayo Saka shënuan nga një herë dhe Alexandre Lacazette dy herë për triumfin mbresëlënës të skuadrës së Artetës.
“Ishte fitore bindëse. T’i fitosh tri ndeshje radhazi gjatë Krishtlindjes në Premierligë nuk është e lehtë”, tha Arteta pas ndeshjes.
“Tani dukemi më të rrezikshëm dhe më kreativë. Loja jonë sulmuese ishte shumë më e mirë sot”.
Arsenali tani është vetëm gjashtë pikë larg vendit të tretë dhe për këtë Arteta është i lumtur.
“Jam shumë i lumtur që ishim në gjendje ta arrinim synimin që e kishim. Tabela duket plotësisht ndryshe”.