Ashtu siç ishte paralajmëruar, Fabrizio Cammarata është prezantuar zyrtarisht në pankinën e Apolonisë dhe ka nisur menjëherë punën për përgatitjen e ndeshjes së radhës fundjavën e 9 janarit.
Ishte vetë tekniku italian ai që njoftoi fillimin e eksperiencës së re nëpërmjet një postimi në llogarinë personale në Instagram, ku shkruante: Sot fillon një sfidë e re për mua, me Apoloninë në kategorinë elitare të futbollit në Shqipëri, shkruan “supersport”.
Cammarata njoftoi në ditët e fundit të dhjetorit divorcin me skuadrën e Dinamos, të cilën e drejtoi me sukses për disa muaj në Kategorinë e Parë dhe tani ka marrë përsipër misionin e mbijetesës me Apoloninë.
Fabrizio Cammarata është trajneri i 5-të sezonal i fierakëve, që nisën përgatitjet me Artan Mërgjyshin, startuan sezonin me italianin Giovani Colella dhe pas tij erdhën Nikolin Çoçlli dhe Bledar Borova, të cilët drejtuan për pak javë.