Fusha me bar sintetik në afërsi të liqenit sot kishte më tepër gjallëri, pasi krahas gjeneratave të reja, aty nisën betejën për përgatitje për pjesën pranverore edhe skuadra e parë – Trepça ’89, ku prezent përveç kryetrajnerit Shpetim Idrizi dhe shtabit teknik ishin edhe krerët e skuadrës kryetari Abedin Zeka dhe drejtori Arsim Islami.
Ajo që ra në sy në grumbullimin e parë ishte prania e të gjithë futbollistëve që në stinorin vjeshtor bartën barrën e skuadrës, ndërkohë që ishin edhe disa emra të rinj, qoftë nga skuadra juniore por edhe futbollistë që në ditët e ardhshme mund të bëhen pjesë e skuadrës.
Ajo që ra në sy në stërvitjen e parë për 2021 ishte puna dhe përkushtimi i shtabit teknik në krye me futbollistin shumëvjeçar dhe kampionin Shpetim Idrizi që së bashku me ndihmësit e tij Seid Onbashi, Fitim Llapshtica (i ardhur së fundi nga Vushtrria), Blerim Berisha dhe Enver Salihu, që thuajse u “rrinin mbi kokë secilit futbollist”.
Trajneri Shpetim Idrizi shumë modest por shumë punëtor edhe kontribuues, fundja i tillë ishte edhe gjatë karrierës së gjatë sportive, thotë se “na pret një punë shumë e madhe sepse stinori pranveror tradicionalisht është më rivalizues, më i papritur edhe më i vështirë”.
“Po sot kemi grumbullimin e parë dhe filluam stërvitjet, gëzon fakti se futbollistët përkundër këtij pushimi të shkurtër janë në gjendje të mirë fizike, do te mundohemi që fazën e parë dhe të dytë ta përfundojmë këtu në Mitrovicë”.
Idrizi thotë se varësisht nga sforcimi dhe mënyra e përballimit nga futbollistët, është planifikuar që faza e tretë të zhvillohet diku jashtë vendit dhe kjo varet nga disa faktor, nga kushtet atmosferike por edhe mundësia për sa më shumë ndeshje miqësore.
“Po përpiqemi që në fazën e tretë të aranzhojmë sa më shumë ndeshje miqësore për të punuar në pjesë tekniko-taktike të skuadrës, si dhe ajo fazë do të jetë edhe periudhë e adaptimit të përforcimeve eventuale që presim” thotë “Shputa”.
“Ne kemi një përbërje kryesisht të re edhe shumë premtuese, natyrisht na duhet koordinim edhe adaptim në lojën tradicionale që bën Trepça ’89, ne po synojmë që të kemi 3 deri 4 emra të rinj, jo vetëm për të shtuar konkurrencën por edhe për të ngritur cilësinë e skuadrës”.
Ai nuk ka dashur të përmend emra, ndërkohë që njëri nga ata tashmë ishte pjesë e stërvitjes edhe grumbullimit të parë, bëhet fjalë për një futbollist mesfushor 22 vjeçar që ka qenë pjesë e kampionatit suedez, që mund të jetë përforcim i skuadrës.
“Synimi ynë është pjesa e epërme e renditjes posaçërisht largimi sa më larg zonës së rrezikshme, ndërsa duke ditur se ka shumë ndeshje do përpiqemi të shfrytëzojmë secilën pikë për rehati edhe qetësi në lojën tonë ndërkohë që synojmë në garat e Kupës të shkojmë sa më lartë , nëse jemi me fat edhe të prekim finalen e Kupës së Kosovës”.