Raportime të shumta nga Italia bëjnë të ditur se Napoli ka refuzuar ofertat e Atletico Madrid dhe Olympique Marseille për sulmuesin Arkadiusz Milik.
Milik do t’i përfundojë kontrata më 30 qershor në verë dhe më pas do të jetë një agjent i lirë. Klubi i Napolit dëshiron që të fitojë para nga polaku dhe të mos e lejojë të largohet atë me parametra zero.
Sipas Calciomercato.it, RMC Sport dhe gazetës spanjolle AS, Napoli informoi agjentin e Milikut se ofertat e dërguara drejt klubit, u refuzuan pasi që konsiderohen shumë të ulëta.
Atleti ishin të gatshëm për të ofruar vetëm 6-7 milion € për përfaqësuesin polak, ndërsa Marseille gjithashtu nuk do të përmbushnin çmimin e kërkuar prej 15 milion €.
I vetmi klub i gatshëm për të ofruar atë shumë të parave është Fiorentina, por Milik nuk ka ndërmend të bashkohet me një skuadër në pjesën e poshtme të tabelës së Serie A.
Milik është lënë jashtë skuadrës gjatë gjithë sezonit pasi refuzoi të nënshkruajë një kontratë të re ose të pranojë një transferim.