Kukësi ka vendosur të ndërpresë bashkëpunimin me mbrojtësin nga Bosnja & Hercegovina, Kenan Horiç, i cili iu bashkua verilindorëve në verë dhe luajti disa ndeshje, përfshi edhe eliminatoret në Europa League.
Lajmin e dha vetë klubi verilindor nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale, ku thotë se palët kanë arritur marrëveshjen për prishjen e parakohshme të kontratës dhe tani mbrojtësi është i lirë të nënshkruajë ku të dojë.
Horiç erdhi me bujë të madhe te Kukësi, pasi në të shkuarën kishte luajtur për skuadra të njohura si Celik Zenica, Domzale, Antalyaspor, Pafos, etj., por performanca e tij nuk u ngjit asnjëherë në nivelin e pritshmërive.
Kjo shpjegohet edhe me faktin që klubi verilindor ka pësuar 15 gola deri në këtë pikë të kampionatit, shumicën e të cilëve, me boshnjakun në fushë, ndërsa pas ish trajnerit Gega, edhe Hallaçi duket se nuk kishte më besim te ai.