Klubi i Interit nuk po përjeton momente të qeta dhe jo vetëm për shkak të humbjes së fundit të papritur në kampionat ndaj Sampdorias.
Prej ditësh qarkullojnë zëra për shitjen e aksioneve te zikaltërve dhe ndonëse vetë klubi e ka përgënjeshtruar publikisht, mediat italiane kanë siguruar informacione se një pjesë e aksioneve të tyre janë në shitje.
Por nga ana tjetër, ka ardhur një lajm i çuditshëm që komplikon pak këtë eventualitet.
Sipas “Gazzetta Dello Sport”, Interi është dhënë peng te grupi i njohur kinez “Alibaba”.
Shkak është marrëveshja që Suning po nënshkruan me
biznesmenin e njohur Xhek Ma që zotëron këtë kompani. “Alibaba” do të blejë për 4,6 miliardë dollarë 19,99% të aksioneve të Suning.com dhe si peng deri në mbylljen e marrëveshjes është dhënë portofoli financiar i “Suning Holding Group”, e cila ka në pronësi edhe Interin.
Kështu, për momentin aksionet e Interit janë të palëvizshme pasi janë pjesë e këtij pengu, duke e bërë edhe më të paqartë atë që po ndodh në klubin zikaltër, për të cilin kanë filluar të shfaqin interes fonde investimi dhe biznesmenë në SHBA.