Nuk është Messi, por një argjentinas tjetër, ai që pëlqehet nga trajneri i ri i PSG-së. Edhe ai mund të merret falas në verë.
Mauricio Pochettino është i prirur për sulmuesin e Manchester City, Sergio Aguero. Këtë fakt e ka zbuluar agjenti i futbollit, Bruno Satin. Duke folur për “Canal +”, ai nënvizoi se trajneri i ri i parizienëve po i jep përparësi transferimit të bomberit të Manchester City për të kompletuar repartin e përparmë, edhe tani i mbushur me yje.
Me Neymar dhe Kylian Mbappe në grupin aktual, ardhja e Aguero do ta rriste sulmin e PSG-së dhe fuqinë e yjeve të tij. Në fakt, zbulimi i kësaj piste të bën të mendosh se sheikët e kampionëve francezë nuk po mendojnë për Leo Messi, aq shumë i përfolur për një kalim në “Parce des Princes”.
Ndoshta kapiteni i Barcelonës është i prirur të qëndrojë në “Camp Nou”, ose të bashkohet me Guardiolën te Manchester City, duke zënë vendin e bashkatdhetarit të tij, që pëlqehet nga Pochettino.