Trajneri i Napolit, Gennaro Gattuso, ka vendosur ta largojë nga loja Amir Rrahmanin pas pushimit mes pjesëve, pas gabimit trashanik të mbrojtësit të Kosovës që çoi në golin e barazimit për Udinesen.
Gattuso nuk ka treguar aspak durim me qendërmbrojtësin kosovar Amir Rrahmani, duke ia bërë edhe më të tmerrshëm debutimin si titullar në Serie A për Napolin, pasi e nxori nga loja pas një gabimi fatal.
Napoli po fitonte falë golit të Lorenzo Insignes nga penalltia pas një çereku lojë, kur Rrahmani e ktheu një top mbrapa gabimisht, të cilin e vodhi Kevin Lasagna dhe e shënoi për 1:1 në minutën e 27-të.
Pavarësisht se u detyrua ta largojë Kostas Manolasin nga loja shkaku i dëmtimit dhe në mungesë të qendërmbrojtësit kryesor Kalidou Koulibaly, Gattuso e largoi nga loja Rrahmanin në minutën e 46-të.
Vendimi i trajnerit italian për ta zëvendësuar kosovarin me Mario Rui mund të jetë taknik, pasi Napoli tani po luan me tre mbrojtës, por Gattuso është dukshëm i pakënaqur me paraqitjen e Rrahmanit në përgjithësi.
Kjo ishte ndeshja debutuese si titullar për Rrahmanin, gjysmë sezonin pasi iu bashkua Napolit nga Hellas Verona.
26-vjeçari debutoi ditë më parë pas një pritjeje pesëmuajshe, si zëvendësues në fitoren e Napolit 4:1 kundër Cagliarit.