Vëmendjen kryesore e merr dueli i prapambetur i La Ligas mes kryesuesëve të Atletico Madrid dhe Sevillas, sfidë e vlefshme për javën e parë të kampionatit por që nuk u luajt për shkak se Sevilla fituese e Europa League e mbylli sezonin e kaluar me shumë vonesë dhe kishte nevojë për më shumë kohë për përgatitje.
Atletico Madrid edhe pse ka zhvilluar 3 ndeshje më pak se Reali dhe Barça kryeson La Ligan me një pikë më shumë se Los Blancos dhe 4 më shumë se blaugranat.
Los Colchoneros do të synojnë të marrin maksimumin në këto 3 ndeshje për t’u shkëputur ndjeshëm në krye të renditjes.
Bora e dendur që mbuloi Madridin nga stuhia Fillomena ka shkrirë, dhe stadiumi Wanda Metropolitano është në kushte optimale për të pritur ndeshjen e mbrëmjes së sotme që do të zhvillohet në orën 21:30.
Atleticos iu shty ndeshja e fundjavës ndaj Bilbaos dhe vjen e çlodhur në përballjen ndaj formacionit andaluzian që në fundjavë mori një fitore jetike në garën për një vend në Champions League, me rezultatin 3-2 ndaj Real Sociedad.
Hector Herrera dhe anësori anglez Kieran Trippier janë mungesat që ka El Cholo Simeone në këtë duel ndërkohë që Lopetegui i cili sapo ka rinovuar kontratën deri në vitin 2024 me Sevillan, nuk do të mund të mbështetet tek Escudero, Fernandez dhe portieri Vaclik.