Problemet në mbrojtje i kanë detyruar drejtuesit e skuadrës së Bajernit për t’u hedhur në kërkim të një mbrojtësi. Në fakt, nuk është një punë e vështirë pasi alternativat nuk mungojnë.
Dajot Upamekano është kandidati kryesor për të veshur fanellën e kampionëve në merkaton e janarit.
Edhe pse i projektuar për të firmosur me Bajernin në fund të sezonit, nevoja për të mbuluar repartin defensiv në shtëpinë e bavarezëve ka bërë që francezi të kthehet në objektivin numër një në merkaton e dimrit.
Sipas “Sky”, dje drejtuesit e klubit bavarez mësohet t’i kenë ofruar lojtarit një rrogë të madhe ashtu si dhe gatishmërinë për të paguar klauzolën prej 40 milionë eurosh të vendosur nga Lajpcigu.
Edhe pse ende asgjë nuk është bërë zyrtare, duket se një prej mbrojtësve më premtues në Europë do të veshë fanellën e Bajernit në këtë sezon. Një përforcim i rëndësishëm për skuadrën e Flikut që në këtë sezon ka pësuar 24 gola në vetëm 15 ndeshjet e luajtura në Bundesligë.