Të gjithë janë në pritje të sfidës të së premtes (18.30) përkatësisht me 15 janar mes kampionit të Evropës, Barcelonës dhe kampionit të Kosovës, Mabetex Prishtina, në kuadër të 16-ës së finales së Champions League në futsall.
Mabetex Prishtina është e përgatitur maksimalisht dhe synon një paraqitje sa më dinjitoze në Barcelonë.
Presidenti i klubit, Fatos Dili, tha se atmosfera është shumë e mirë dhe nuk kanë pasur as një problem me rregullimin e dokumentacionit. Ai tha se sonte në orën 00:00 do të nisen drejt Barcelonës.
Mabetex Prishtina
“Bota sot”: Cila është atmosfera para nisjes për në Barcelonë?
Fatos Dili: Atmosfera është shumë e mirë, sot kemi qenë në vizitë për të bërë homazhe tek varri ish-presidentit Vokrri dhe në Kompleksin memorial Adem Jashari në Prekaz, për t’u motivuar edhe më shumë.
“Bota sot”: Sa keni njohuri për Barcelonën, ku është rreziku më i madh?
Fatos Dili: Jemi të informuar për skuadrën me të cilën do të përballemi, kampion aktual i Champions League. Skuadra numër një në Evropë padyshim është përballje e vështirë.
“Bota sot”: Ndeshja luhet me 15 janar kundër Barcelonës në orën 18.30, a shpresoni se me pak fat do të kaloni?
Fatos Dili: Ne do të shkojmë të përballemi me skuadrën më të fortë në Evropë dhe shpresojmë në një prezantim të mirë.
“Bota sot”: A jeni komplet dhe a keni pasur vështirësi për t’i siguruar mjetet për udhëtim?
Fatos Dili: Besoj se do të jemi komplet, jemi duke i pritur rezultatet e testimeve për Covid 19. Nuk kemi patur asnjë problem me dokumentet e udhëtimit.