Futbolli dhe çdo sport tjetër në Kosovë, në vitet e 90-ta (1991-1999), përjetuan tortura të llojllojshme nga regjimi kriminal serb.
Sportistët shqiptarë asnjëherë nuk u dorëzuan por ashtu si munden edhe u organizuan duke e sfiduar pushtuesin serb.
Lavdrim Alija i takon Gjeneratës së Republikës.
Ai ka qenë ndër sulmuesit më të dalluar të asaj kohe dhe me sukses ka luajtur në petkun e Ferizajt.
Si çdo futbollist dhe si çdo sportist tjetër, edhe Alija ka kontribuar me gjithë arsenalin e tij, për të mbajtur gjallë futbollin.
Ai, së bashku me mijëra sportistë iu kundërvunë fuqishëm regjimit serb.
Në asnjë moment nuk u ndalen por i zhvilluan ndeshjet në ara dhe fusha të improvizuar, gjithnjë të rrezikuar nga milicia e pushtuesit serb, si shumë herë sportistët tanë u morën në biseda informative, që besa u maltretuan dhe u rrahën, disa edhe ishin arrestuar në atëkohë.
Alija është i lumtur që i takoi Gjeneratës së Sakrificës, duke u angazhuar me mish e më shpirt në shërbim të futbollit dhe shtetit të Kosovës.