Ish-mbrojtësi i majtë anglez, Antoni Dorigo ka bërë një deklaratë tronditëse së fundmi, ku ka treguar se gjatë kohës kur ishte pjesë e Torinos, në sezonin 1997-1998, skuadrës i ishte kërkuar që një ndeshje të lihej barazim dhe lojtarët të toleronin gjatë sfidës.
Për “The Sun”, Dorigo ka thënë se Torino, luante me një skuadër të mesit të tabelës dhe drejtuesit iu kishin thënë lojtarëve që të bënin tolerime, në mënyrë që ndeshja të dilte barazim. Gjithashtu gjatë intervistës, 55-vjeçari, përmend edhe trajnerin aktual të Shqipërisë, Edi Reja, i cili asokohe ishte në drejtimin e Torinos.
“Po më ndodhte diçka e çuditshme në 7-8 ndeshje. Në një ndeshje ku unë isha titullar, ne u urdhëruam të luanim për barazim. Drejtuesit na erdhën para ndeshjes në dhomat e zhveshjes dhe na thanë që duhet të luanim për barazim. Mu neverit, me të vërtetë. Ndeshja ishte ndaj një ekipi të mesit të tabelës dhe nuk iu bënte punë barazimi. Nuk e kuptova pse na i kërkuan barazimin. Të gjithë lojtarët qeshën me mua, po më merrnin për budalla, shkruan panoramasport.
Nuk ishte normale që të ndodhte diçka e tillë. Nuk ishte përvojë e mirë. Para ndeshjes, disa nga shokët e skuadrës nuk u paraqitën.
Dikush ishte sëmurë, dikujt i kishte vdekur nëna, e cila më vonë u ringjall përsëri. Arritëm në pikën, ku pavarësisht se unë isha mbrojtës i majtë, ata më kërkuan të luaja në krahun e djathtë. Loja filloi, dhe ne qëllimisht humbëm disa raste të pastra, në mënyrë qesharake. Tifozët filluan të na fishkëllenin, pasi edhe ata e kuptuan se çfarë po ndodhte.
Në gjysmë të ndeshjes, i thashë trajnerit Edi Reja: ‘Më vjen keq, po luftoj për të luajtur, por kam dhimbje të gjurit dhe nuk mund të vazhdoj më tej’. Pas kësaj ata më zëvendësuan.”, u shpreh Dorigo.