Drejtori sportiv i Paris – Saint – Germain, Leonardo ka folur edhe njëherë mbi mundësinë që ylli i Barcelonës Lionel Messi të kalojë te gjiganti francez pasi spekulimet për një largim të tij nga “Camp Nou” vazhdojnë të qarkullojnë.
Ai ka deklaruar se ata janë duke e monitoruar nga afër situatën e numrit 10 të Barcelonës duke thënë se “ e kanë një karrige të rezervuar aty për çdo rast.”
“Lojtarë si Messi do të jenë gjithmonë në listën e PSG-së. Tani nuk është koha të flasim për të. Por ne jemi ulur në tryezën e atyre që ndjekin çështjen nga afër. Në fakt, jo, ne nuk jemi ulur akoma, por karrigia jonë është e rezervuar aty për çdo rast ... “, u shpreh Leonardo.
Ai gjithashtu ka folur edhe për situatën e dyshes Neymar – Mbappe të cilët janë në bisedime për rinovimin e kontratave.
“Shpresoj që Neymar dhe Mbappé të jenë të bindur se PSG është një vend i mirë për momentin për një lojtar të nivelit të lartë, ambicioz. Thjesht duhet të gjejmë një marrëveshje midis dëshirave, kërkesave të tyre dhe pritjeve dhe mjeteve tona ”, përfundoi braziliani.