Shinji Kagawa (i lindur në Kobe, 1989) tashmë ka një ekip të ri. Ish-lojtari i Borussias së Dortmundit, Manchester Unidet, Beshiktashit dhe Zaragozës do ta vijojë karrierën në Greqi.
31-vjeçari ka firmosur me PAOK-un e Selanikut për një sezon e gjysmë, pra deri në verë të vitit 2022. Në njoftimin e klubit grek shkruhet:
“Në verën e vitit 2019 ai u largua nga Gjermania dhe udhëtoi drejt Spanjës, për të veshur fanellën e Real Zaragozas në kategorinë e dytë, ekip me të cilin u aktivizua në 34 ndeshje, shënoi katër gola dhe dha gjashtë asistime. Zaragoza nuk kishte mundësi për t’ia paguar pagën kështu që e la lojtar të lirë.”
Që kur u largua nga Real Zaragoza, në tetor, japonezi ka refuzuar të gjitha ofertat që i erdhën, pasi përparësia e tij ishte të vazhdonte të luante në Spanjë. PAOK-i është interesuar edhe më parë për futbollistin, që vetëm tani ka ndryshuar mendje, pasi nuk dëshiron të qëndrojë pa aktivitet.