Armando Sadiku dje ka nisur zyrtarisht aventurën e tij me skuadrën e re të Bolivarit.
Sulmuesi i Kombëtares është transferuar te skuadra më e titulluar në Bolivi. Dje, Sadiku ka udhëtuar për në Bolivi ku edhe është pritur nga drejtuesit e skuadrës. Më tej, Sadiku është prezantuar me shokët e skuadrës dhe stafin teknik.
Pa humbur kohë, Armando Sadiku ka dalë menjëherë në stërvitje me skuadrën e re për të nisur direkt këtë aventurë.
Pas një sezoni fantastik në Ligën e Dytë spanjolle, Sadiku u transferua tek Erzurumspori në Turqi. Mirëpo, me këtë të fundit, nuk pati ecurinë e pritshme. Gjithashtu, dëmtimet u bënë pengesë që bomberi i Kombëtares të mos tregonte vlerat e tij.
Bolivari është skuadra më e titulluar në Bolivi dhe për Sadikun do të jetë një eksperiencë e re në një tjetër kontinent.
Megjithatë, kjo lëvizje do të vërë në diskutim praninë e bomberit në Kombëtare, qoftë edhe vetëm për faktin e largësisë dhe ndoshta pamundësisë për të qenë në dispozicion të kuqezinjve sa herë që do të ketë impenjime zyrtare. Mjaft të përmendet që bëhet fjalë për 11 mijë kilometra distancë..